Istog, dt.13.3.2014 – Policia e Kosovës, përkatësisht njësiti i hetimeve pranë stacionit policor në Istog, është informuar për një rast zjarri në fshatin Osojan KK Istog, me datën 12.3.2014 rreth orës 05:50. Rastit i është përgjigjur patrulla policore dhe njësiti i zjarrfikësve. Nga zjarri është djegur një barakë e drurit e cila ishte e improvizuar dhe përdorej si zyrë e partisë së quajtur “Samostalna Liberalna Stranka” e udhëhequr nga Vesna Malinkoviq (serb kosovar) ndërsa pronar i barakës është Slavolub Radosav Gjurirq (serb kosovar).Rastit i janë përgjigjur edhe Njësiti i Hetuesisë dhe Krim–teknika e SP Istog dhe për momentin nuk ka të dyshuar si dhe nuk dihet shkaktari i zjarrit. Në vendngjarje janë kontaktuar dy dëshmitarë okularë të rastit, Dobrivoje Radivanoviq (serb kosovar) dhe Sllagjan Dulloviq (serb kosovar) të cilët deklaruan që kishin vërejtur tym duke dalë nga brendia e barakës dhe ishin afruar për të parë më nga afër se çfarë po ndodhte në objekt. Gjithnjë sipas dy dëshmitarëve të lartcekur, pasi që ishin afruar tek baraka, kishin shikuar përreth objektit dhe nuk kishin parë dritare apo dyer të hapura apo thyera ndërsa me qëllim të intervenimit për shuarjen e zjarrit brenda në objekt, dëshmitarët e lartcekur kishin hapur me forcë derën hyrëse të barakës, mirëpo në momentin e hapjes së derës zjarri ka kapluar në masë edhe më të madhe tërë objektin. Zjarri është lokalizuar nga zjarrfikësit mirëpo baraka në fjalë është djegur pothuajse tërësisht. Sipas viktimës, dëmet janë të konsiderueshme. Për rastin në fjalë është njoftuar edhe eksperti i zjarreve i cili ka dalë në vendngjarje dhe hetuesit janë në pritje të raportit nga eksperti i zjarreve.Sipas informacionit që ne posedojmë, baraka në fjalë, para se të përdorej si zyrë, është përdorur si lokal për përgatitjen e ushqimit (qebaptore). Nuk ka pasur persona të lënduar në rast. Rasti është duke u hetuar në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit, dhe për më shumë rreth këtij rasti do të informoheni me kohë sipas risive nga vendi i ngjarjes dhe vlerësimit të ekspertit të zjarreve.
Pas veprimeve operativo-hetimore në terren dhe duke u bazuar në raportin përfundimtar të inspektorit mbi parandalimin e zjarreve kemi ardhur në përfundim se zjarri i shkaktuar në Osojan është zjarr aksidental dhe shkaktar i mundshëm mund të jetë ndonjë defekt në instalimin elektrik brenda objektit.
Për të gjitha veprimet policore është informuar prokurorja kompetente e cila ka kërkuar që rasti t’i dedikohet Prokurorisë me raport nga njësiti përkatës i hetimeve.