Prizren, 16 gusht
Rreth orës 23:30 minuta të datës 16 gusht, policia në Prizren ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se në afërsi të restorantit “Paradiso” ka të shtëna nga arma e zjarrit. Patrulla e policisë që i është përgjigjur thirrjes, nga vendi i ngjarjes njofton për dy viktima të lënduara, të dy meshkuj të cilët janë dërguar në emergjencën e spitalit rajonal për trajtim mjekësor. Pas hetimeve të para, dyshohet se dy të dyshuar që po mbahen ende në polici, kanë shkuar tek “Paradiso” dhe i kanë thirr viktimat që të dalin jashtë dhe posa të njëjtit kanë dalë, janë sulmuar fizikisht, me ç’rast njërit i është thyer ashti i hundës, thuhet në raportet mjekësore. Po ashtu bëhet e ditur se është përdor një armë e zjarrit nga e cila ka pas shkrehje e që ende nuk dihet se kush apo kah ka qenë caku i gjuajtjes dhe kush ka shtënë me te. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy fishekë të pa shkrepur dhe një gëzhojë. Po ashtu janë sekuestruar edhe dy vetura që dyshohet se u përkasin personave të përfshirë në rast. Në vendin e ngjarjes është identifikuar një veturë e dëmtuar me gjasë nga plumbi i shkrepur. Në këto momente pritet të konfirmohet vendimi i prokurorit të shtetit lidhur me rastin pasi i janë prezantuar provat materiale të gjetura në vendin e ngjarjes.