Tërpezë-Malishevë, 9 shkurt
Rreth orës 22:20 në fshatin Tërpezë, para dyerve të oborrit të një shtëpie ka ndodhur një vrasje. Sipas hetuesve të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes thuhet se një i dyshuar pas një mosmarrëveshje ka vrarë me pushkë gjahu mikun e tij nga një fshat i Kukësit. Policia ka kryer procedurat e duhura të këqyrjes së vendit të ngjarjes. Prokurori i shtetit, drejtori rajonal i policisë dhe komandanti i stacionit policor i Malishevës kanë qenë të pranishëm në hetimin e rastit. Mjekoligjorët kanë bartur trupin e pajetë për në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërkaq i dyshuari është arrestuar. Arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja është sekuestruar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.