Mitrovicë, 13 mars 2014 – Policia në Mitrovicë, përkatësisht stacioni policor ‘Jugu’, rreth orës 01:00 të datës 13 mars 2014, ka pranuar një informatë se në rr. “Afrim Zhitia” dyshohej se tre persona të maskuar po tentonin të hapnin njërën nga dyert e postës kryesore të qytetit. Duke pasur parasysh informatën e pranuar njësitë policore kanë reaguar me urgjencë për në vendin e ngjarjes, një koordinim i mirë mes njësive në sektorë dhe atyre reaguese ka rezultuar që në vendin e ngjarjes të ndalojnë dhe të arrestojnë njërin nga tre të dyshuarit e rastit, gjersa dy të tjerë ishin larguar në drejtim të panjohur. Bashkë me të dyshuarin në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar një maskë të zezë, si dhe një palë çorapë të zeza, të cilat dyshohet të jenë përdorur nga të dyshuarit në veprën penale. Hetimet e para të nisura kanë rezultuar me lokalizimin e vendndodhjes dhe identifikimin e dy të dyshuarve tjerë, të cilët në orët e paradites së sotme janë arrestuar nga policia. Pas procedurave fillestare intervistuese me urdhër të prokurorit të rastit dy të dyshuarve P. Xh. 18 vjeç dhe B. Sh. 24 vjeç u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa i dyshuari i tretë Q. B. 15 vjeç është liruar. Rasti i iniciuar po hetohet si ‘vjedhje e rëndë në tentativë’.