Në vazhdën e realizimit të punëtorive në rajone dhe komuna të ndryshme të Kosovës, sot u realizua punëtoria e radhës në rajonin e Pejës.
Qëllimi i Policisë së Kosovës vazhdon të mbetet, që në forma të ndryshme t’i sensibilizojë dhe t’i informojë të gjitha komunitetet për konkursin policor, për procedurat dhe kriteret e rekrutimit, përfshirë fazat testuese të cilave duhet t’iu nënshtrohen aplikantët.
Plani i veprimit “Bëhuni pjesë e Policisë së Kosovës”, ka ndikuar pozitivisht në informimin dhe inkurajimin e komuniteteve pakicë për t’iu bashkuar radhëve të Policisë së Kosovës, interesim ky i cili në vazhdimësi është në rritje.
Policia e Kosovës, i është falënderuese dhe mirënjohëse misionit të OSBE-së, e cila në vazhdimësi ka mbështetur Policinë e Kosovës, e në veçanti ka përkrahur realizimin e këtyre punëtorive.
Policia e Kosovës ofron mundësi të barabarta të punësimit për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe mirëpret aplikacionet nga të gjitha minoritetet në Kosovë, për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve pa dallime.