Prishtinë, 19 mars 2019
Sot, me datën 19 mars, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ka filluar ushtrimi MBUROJA JETËSORE (VITAL SHIELD), Ushtrim Tavoline Pune (UT), testim i mekanizmit reagues në skenarin mbi menaxhimin e materialeve të rrezikshme bërthamore, radiologjike dhe produkteve për përdorim të dyfishtë, që ndërlidhet me testimin e Draft Strategjisë Nacionale të RKS-së kundër armëve të shkatërrimit në masë.
Në hapjen e këtij ushtrimi i cili mbikëqyret dhe fascilitohet nga ekipet e eksperteve të United States European Command (EUCOM), RACVIAC-ut (Qendrës për Siguri Rajonale) dhe DTRA (Agjencia për Mbrojtjen dhe Reduktimin e Kërcënimeve nga ASHM), kanë marrë pjesë zëvendësministri i Punëve të Jashtme z. Anton Berisha dhe drejtori i Përgjithshëm i PK-së z. Rashit Qalaj.
Qëllimi i këtij ushtrimi tre ditor (19-20 mars 2019), ku janë të përfshira të gjitha institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, është të vlerësojë dhe të përditësojë efikasitetin e draft strategjisë kombëtare për KASHM të Kosovës dhe përbërësit e saj.
Qeveria e Kosovës nën patronatin e Qendrës RACVIAC, përmes mekanizmave të saj është angazhuar në hartimin dhe zbatimin e strategjisë kombëtare dhe planin e masave, për të përballuar kërcënimet lidhur me përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë.
Faza përfundimtare e projektit ka të bëjë me vlerësimin dhe testimin e vetë strategjisë për të përcaktuar efektivitetin e saj në përballjen me kërcënimet potenciale të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë (atomike, kimike, biologjike) dhe nëpërmjet këtij ushtrimi ku marrin pjesë të gjithë akterët do të testohet kjo draft strategji.
Njëherësh ky ushtrim tavoline (UT) do të përdoret për nxjerrjen e përfundimeve reale me qëllim të përditësimit dhe testimit të efikasitetit dhe efektivitetit se si vendi (RKS) u përgjigjet një sërë sfidave të përhapjes së ASHM (armëve të shkatërrimit në masë ), ku përmes saj do t’ju ofrojë autoriteteve të Republikës së Kosovës rastin për të vlerësuar impaktin potencial të planit të veprimit lidhur me strategjinë kombëtare.