Prishtinë, 10 nëntor 2014
Me datën 8.11.2014 në disa portale është publikuar një video-xhirim ku shfaqen dy zyrtarë policorë me automjet zyrtar, në të cilin transportonin dy persona civilë të paautorizuar si dhe duke u sjellë në kundërshtim me kodin e etikës dhe sjelljes profesionale të Policisë.
Menaxhmenti kompetent i Policisë së Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha verimet e nevojshme ligjore për të kryer hetime drejt identifikimit të zyrtarëve policorë dhe shkeljeve të mundshme nga ana e tyre. Sot me 10.11.2014, si rezultat i verifikimeve janë identifikuar dy zyrtarët policorë dhe ndaj tyre janë ndërmarrë masat e menjëhershme të suspendimit policor për 48 orë, si dhe lënda ndaj të njëjtëve është proceduar tek Drejtoria e Standardeve Profesionale për veprime të mëtutjeshme hetimore. Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm të treguar dhe njëherësh siguron gjithë opinionin e gjerë se është e përkushtuar që t`i ndërmarrë të gjitha masat e parapara ligjore kurdoherë që dyshohet se pjesëtarët e saj bien ndesh me dispozitat ligjore.