Prishtinë, 17 tetor 2017
Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me shkrimin e publikuar sot (me 17.10.2017) në gazetën online “ Insajderi” që mban titullin “Policia e Kosovës shpërfill kërcënimin ndaj zyrtarit të lartë shtetëror”, reagon ndaj këtij shkrimi dhe sqaron me sa vijon:
Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet vepron konform autorizimeve ligjore që ka, ku edhe në rastin konkret menjëherë pas pranimit të informacionit me datë 16.10.2017, rreth orës 17:20 minuta ka ndërmarrë veprime konkrete duke angazhuar njësitet relevante policore për trajtim dhe ofrim të sigurisë ndaj kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP-së).
Si rezultat i veprimeve të menjëhershme të zyrtarëve policor dje me (16.10.2017) është takuar ankuesi Blerim Dina në rrugën Bajram Kelmendi në Prishtinë, nga i cili janë informuar shkurtimisht lidhur me rastin.
I njëjti është marrë me veturë zyrtare dhe është sjell në Drejtorinë për Hetime të Krimeve të Rënda në Prishtinë, ku edhe i është marrë deklaratë me shkrim Për të gjitha veprimet dhe konkretisht për deklaratën e tij, është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Lidhur me rastin në konsultim dhe koordinim me prokurorinë kompetente janë kryer hetime intensive, duke përfshirë edhe mbledhjen dhe sigurimin e dëshmive relevante që ndërlidhen me rastin sipas procedurës ligjore të paraparë në Kodin e Procedurës Penale.
Ndërsa sot më datë 17.10.2017 janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve për këtë rast, ndaj njërit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit 48 orë, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës bazuar në vlerësimet e bëra ka angazhuar njësi policore në ofrim të sigurisë ndaj zyrtarit të OSHP-se.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë angazhimet e saja profesionale me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe parandalimit të rasteve kriminale, si dhe njoftimit të drejtë të opinionit publik.
Me respekt
Zyra për Informim e PK-së