Prizren, 4 mars – Rreth orës 03:15 në ambientet e restorantit “Paradiso” në Prizren, ku kishte mysafirë duke u argëtuar me muzikë live ka plasur sherri, me ç’rast disa të dyshuar janë rrahur në mes vete me mjete të forta, por është përdorur edhe arma e zjarrit, gjë të cilën e vërteton edhe një gëzhojë e gjetur në vendin e ngjarjes. Por për fat të mirë nuk është lënduar askush nga plumbi. Në spitalin rajonal është dërguar një i dyshuar për trajtim mjekësor të cilit i është ofruar ndihma mjekësore dhe mjekët kishin vendosur që i lënduari të ndalej për trajtim mjekësor, ndërkaq prokurori kishte lëshuar urdhërarrest për personin e dyshuar dhe një patrullë policore e kishte siguruar të dyshuarin në ambientet e spitalit. Pak më vonë, diku rreth orës 04:30 në spital kishte arritur i dyshuari H. Gashi cili kishte tentuar t’i afrohet të dyshuarit që ishte nën përkujdesje policore dhe pasi nuk është lejuar nga policët, i njëjti i ka kanosur dhe fyer policët në detyrë zyrtare, të cilët kanë reaguar dhe e kanë arrestuar kërcënuesin. Pas bastisjes në trupin e tij është gjetur një thikë ushtarake. Lidhur me ngjarjen është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalet nën masën e arrestit policor. Ndërsa policia është në kërkim të të dyshuarve tjerë që kishin qenë pjesëmarrës në rrahje.