Prishtinë, më 24 shtator 2024
Sot, më 24 shtator 2024, me rastin e njëvjetorit të rënies në krye të detyrës së heroit më të ri të Republikës së Kosovës, rreshterit Afrim BUNJAKU, personalitete të larta shtetërore dhe menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës vizituan familjarët e heroit Bunjaku si dhe bënë homazhe tek varri i të ndjerit.
Në homazhe pranë varrit të heroit Bunjaku, përveç personaliteteve të larta shtetërore, menaxhmentit të lartë të PK-së, morën pjesë edhe ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, të cilët në shenjë nderimi vendosën kurora me lule pranë varrit të heroit.
Personalitetet e larta shtetërore, së bashku me menaxhmentin policor, pastaj vazhduan për në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku vizituan edhe vendin e rënies së rreshterit Bunjaku, ku në nderim të tij zbuluan tabelën e rrugës që do të mbajë emrin “Afrim Bunjaku”.
Aktivitetet për shënimin e njëvjetorit vazhduan me akademinë përkujtimore e cila u mbajt në Prishtinë, ku nga një fjalë rasti mbajtën Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti, Ministri i Punëve të Brendshme z.Xhelal Sveçla, Drejtori i Përgjithshëm i PK-së Kolonel Gazmend Hoxha, familjarë dhe kolegu i cili ishte në momentet e rënies së heroit Bunjaku.
Secili nga ta shprehu dhembjen, krenarinë dhe konsideratën më të lartë për sakrificën e heroit Bunjaku, në mbrojtje të sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Po ashtu, personalitetet e larta shtetërore shprehën mirënjohjen dhe falënderime të përjetshme për gjithë punën, angazhimin, profesionalizimin dhe kontributin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës, në ruajtje të rendit e sigurisë publike, mbrojtjen e vendit dhe kufijve të saj deri në sakrificë, ashtu siç veproi edhe heroi i Kosovës Rreshter Afrim Bunjaku.
Në vijim keni linkun; “Hero Rreshter Afrim Bunjaku”