Prizren, 15 tetor -Gjatë implementimit të një plani operativ ku ishin të përfshira disa njësite policore, me qellim të zbulimit të gjësendeve ilegale dhe arrestimin e personave të kërkuar nga gjykatat, janë kontrolluar pesë objekte hoteliere me ç’ rast gjatë kontrollit të mysafirëve, në dy prej tyre janë gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta. Rasti i parë ka ndodhur në lokalin “Kastrati” në rrugën “ Ismail Kryeziu”.Në këtë lokal, tek i dyshuari H. Th. është gjetur një pistoletë e llojit të panjohur me shtatë fishekë. Rasti i dytë është regjistruar në lokalin “Al-Capone” në Korishë. Është gjetur një pistoletë M-57, kalibri 7.62 mm me tetë fishekë tek i dyshuari N. Sh. punëtor i restorantit. Po ashtu tek një mysafir, policia ka gjetur para kesh në vlerë 18750 eurove. Parat janë sekuestruar nga njësiti kundër krimeve ekonomike derisa të dëshmohet prejardhja e tyre.Ndërsa pistoleta e tretë është sekuestruar nga një patrullë policore e Prizrenit e cila kishte vërejtur se një veturë e llojit “Ford Fiesta” i ishte shmangur pikës së kontrollit dhe ishte fshehur në oborrin e Shkollës së Mesme “Gjon Buzuku” . Policët e kanë identifikuar shoferin dhe gjatë kontrollit është sekuestruar një revolver “Magnum” i kalibrit 9 mm dhe një thikë patentë. Për të gjitha rastet është informuar prokurori i shtetit i cili ka sugjeruar që shkresat e lëndës dhe provat materiale t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.