10.03.2014, Ferizaj – Në mbështetje të ATK-së, e në bashkëpunim me inspektorët komunal të Ferizajt dhe Doganat e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka zhvilluar një operacion policor, i bazuar në planin operativ “Lojërat e fatit”, që nënkupton mbylljen e të gjitha kasinove dhe lokaleve të lojërave të fatit, të cilat nuk i përmbushin kriteret e parapara me ligj për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Gjatë operacionit të sotëm të policisë në Ferizaj, janë mbyllur mbi 40 lokale të këtilla. Operacioni policor është zhvilluar, konform vendimeve paraprake të ATK-së (Departamaneti për licensimin e lojërave të fatit) dhe të Drejtorisë Komunale të Urbanizmit e Gjeodezisë në Ferizaj. Njësitet Policore të DRP –së në Ferizaj, paraprakisht, kanë bërë incizimin dhe identifikimin e të gjitha objekteve në të cilat është ushtruar veprimtaria e lojërave të fatit dhe e kasinove dhe të cilat nuk i kanë përmbushur kriteret e parapara ligjore. DRP e Ferizajt, ka paralajmëruar se operacione të ngjajshme do të kryhen edhe në komunat tjera të Rajonit të Ferizajt, të cilat janë në kuadër të zonës së përgjegjësisë së policisë së kësaj drejtorie.