Prishtinë, 03 shkurt 2014 – Sot rreth orës 07:30, në rrugën “Gjorgj Bush”, në Prishtinë ka filluar të mbahet një protestë e paparalajmëruar, nga rreth 30 persona. Me qëllim të monitorimit të situatës, policia përgjatë gjithë kohës ka qenë prezent në lokacionin e sipërshënuar dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve policore, duke i mundësuar stafit të rektoratit hyrjen në objekt, edhe pse protestuesit vazhdimisht kanë insistuar që të pengojnë policinë në kryerjen e detyrave zyrtare.Përderisa policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mbajtur nën kontroll situatën si dhe për të kontrolluar sjelljet agresive të protestuesve, dy pjesëtarë të policisë dhe dy protestues kanë marrë lëndime, dhe të njëjtëve u është ofruar trajtimi i duhur mjekësor.Për rrjedhojë me rekomandimin e prokurorit të shtetit, për pengim në kryerjen e detyrës zyrtare, policia ka shoqëruar për në stacionin policor dy protestues të cilët pas intervistimit janë liruar.Ndërkohë që policia ka vazhduar me monitorimin e rrjedhës së protestës për faktin se nga drejtime të ndryshme të qytetit protestues në mënyrë të organizuar i janë bashkëngjitur asaj, për të siguruar një funksionalitet të trafikut përkohësisht ka bllokuar segmente të caktuara rrugore si dhe duke bërë ri drejtimin e trafikut. Kësisoj rreth orës 12:30, protestuesit duke kaluar rrethojat e oborrit të Rektoratit njëkohësisht edhe duke i dëmtuar ato, dhunshëm janë futur brenda në oborr, porse njësitet policore kanë ndaluar që të njëjtit të depërtojnë brenda objektit të Rektorati duke parandaluar kështu eskalimin e mëtejmë të situatës. Për veprime të tilla të dhunshme si dhe mosbindje ndaj personit zyrtarë, policia ka arrestuar një person dhe të njëjtin pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit në procedurë të shpejtë e ka dërguar para gjykatës kompetente. Numri i përafërt i protestuesve konsiderohet të ketë qenë rreth 500, përderisa në ora 16:00 protesta është konsideruar e përfunduar.