Prishtinë, 03 dhjetor 2018 – Ju njoftojmë se sot rreth orës 13:30, policia ka marrë informatën për një grabitje të armatosur.
Grabitja ka ndodhur në filialin e një banke që gjendet në lagjen Veternik, në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.
Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armëve, po ashtu personat e dyshuar kanë sulmuar fizikisht një person dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Personi i lënduar (sigurim i bankës), është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia po punon me përkushtim për të identifikuar personat e dyshuar dhe vendndodhjen e tyre.
Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla.