Mitrovicë, 19 nëntor 2014
Hetuesit e njësisë rajonale, në kuadër të Drejtorisë së Policisë në Mitrovicë, sot në orët e paradites kanë realizuar një urdhër kontroll të autorizuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. Urdhër kontrolli është realizuar në rrugën “Sami Gashi” në Mitrovicë në një shtëpi private, pronë e një personi të dyshuar, ky kontrolli ka rezultuar me gjetjen dhe konfiskimin e një pistolete dhe një fisheku. Urdhër kontrolli i realizuar ka ardhur si rezultat i hetimeve të vazhdueshme lidhur me rastin e datës 5 shtator 2014, ku në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë ishte raportuar për të shtëna me armë zjarri, incident ky në të cilin dyshohet të jetë i përfshirë i dyshuari P. F. 24 vjeçar, për veprën penale ‘përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’. Në këtë incident në vendngjarje si prova materiale policia kishte gjetur dy gëzhoja të pistoletës të cilat ishin marrë për ekzaminim. Pistoleta dhe fisheku i konfiskuar sot do të dërgohen në ekzaminim të mëtejmë për t’u vërtetuar si prova materiale lidhur me të shtënat e datës 5 shtator 2014.Rasti është iniciuar si vepër penale ‘përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.