Policia e Kosovës, në bashkëpunim e koordinim me institucione tjera, ka realizuar shume aktivitete për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve ‘1 Qershorin’.
Qysh dje, në disa nga Drejtoritë Rajonale Policore (DRP), janë zhvilluar aktivitete të ndryshme me fëmijët, po ashtu këso aktivitete janë zhvilluar edhe sot në disa nga DRP-të.
Festimet qendrore, janë realizuar sot më 1 qershor 2024, në sheshet e Prishtinës me ku aktivitete të shumta është shënuar kjo ditë e rëndësishme për fëmijët.
Në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, qysh nga ora 11:00, njësi të ndryshme policore kanë takuar me qindra fëmijë. Fëmijëve u janë shpërndarë fletushka të përgatitura nga policia me porosi të rëndësishme për ta. Fletushkat kishin përmbajtje të ndryshme, duke filluar nga fletushka ‘Unë mbrohem me ligj’ që ofron sqarime rreth ‘Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve’ (fletushkë e shtypur në tri gjuhët), fletushka tjera për sigurinë në trafik, po ashtu u shpërndan edhe shumë rekuizita tjera me logo të policisë.
Më pas, nga ora 12:00, duke filluar nga ‘Sheshi Skënderbe’, e duke vazhduar për në ‘Sheshin Zahir Pajaziti’, policia ishte pjesë e paradës së bashku me fëmijët. Qindra fëmijë u fotografuan me zyrtarë policorë dhe afër pajisjeve policore.
Me këtë rast Policia e Kosovës, të gjithë fëmijëve u uron këtë ditë, me dëshirën që të gjithë ata të kenë shëndet e shumë suksese në mësime!