Njësitet policore në kuadër të Stacionit Policor në Vushtrri, mbi bazën e informacioneve, kanë siguruar informata për vendndodhjen e të dyshuarit me iniciale E. K., 42 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës.
Si rezultat i informacioneve dhe veprimeve të ndërmarra është arritur që në orët e mbrëmjes së datës 09 shtator 2021, rreth orës 21:45, në fshatin Vilanc të Vushtrrisë, përkatësisht në shtëpinë e tij, të arrestohet i dyshuari që ishte në kërkim me 18 urdhër arreste të lëshuara nga gjykata kompetente për disa raste të veprave penale.
Pas arrestimit dhe përfundimit të procedurave policore, sipas urdhëresës së gjykatës i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative në vend si dhe ndërmarrjen e veprimeve për identifikimin, arrestimin e personave të përfshirë në veprime të kundërligjshme.