Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut, ne vazhdimësi po ndërmerr të gjitha masat e duhura me qëllim të mbarëvajtjes së qarkullimit rrugor
Marrë parasysh fluksin e shtuar të automjeteve në rrethanat e sezonit veror dhe gjendjen e krijuar në veçanti në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë zona e Vushtrrisë, ku për shkak të punimeve në zgjerimin e rrugës në segmentin Vushtrri-Stanovc, ditëve të fundit në këtë segment rrugor, rrjedha e trafikut po zhvillohet me e ngadalësuar ku si rrjedhojë në intervale të caktuara kohore po krijohen kolona të automjeteve e sidomos gjatë orëve të pasdites.
Me qëllim të evitimit të kolonave të gjata të automjeteve dhe për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales, në kuadër te Drejtorisë Rajonale janë angazhuar njësi shtesë policore të cilat do te qëndrojnë në pika te caktuara ku ka ngecje të rrjedhjes së trafikut dhe të cilat do te jene aktive gjate gjithë kohës deri në sanimin e kësaj gjendje dhe rënien e fluksit të automjeteve.
Në rrethana të caktuara, njësitë policore do t’u japin udhëzime pjesëmarrësve për ri-orientimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara te cilat do të jenë të domosdoshme që të evitohen kolonat në rrugë.
Gjithashtu policia njofton pjesëmarrësit ne trafik që si rrugë alternative mund të shfrytëzojnë rrugën rajonale nga Mitrovica përmes fshatrave Frashër-Pantinë-Bukosh -Druar-Mihaliq-Prelluzhë me kyçje në rrugën nacionale Stanovc drejtimi i Prishtinës si dhe nga Vushtrria përmes fshatrave Bukosh-Druar-Mihaliq-Prelluzhë me kyçje në rrugën nacionale Stanovc drejtimi i Prishtinës dhe anasjelltas.
Për orientim me të lehtë, pjesëmarrësit mund të shfrytëzojnë hartën e bashkëngjitur me ketë njoftim.