Në Drejtorinë Rajonale në Mitrovicë Jugu është mbajtur takim i përbashkët i përfaqësueseve të të gjitha Komiteteve Lokale të Sigurisë Publike(KLSP) të Rajonit të Mitrovicë Jug dhe Mitrovicë Veri.
Të pranishmit u pritën nga eprorë të DRP-Mitrovicë Jug ndërsa temë kryesore e takimit ishte fuqizimi dhe ri-vitalizimi i këtyre forumeve të cilat janë tejet të rëndësishme për sigurinë në bashkësi duke punuar në partneritet me Policinë e Kosovës.
Përfaqësuesit e KLSP-ve njoftuan për sukseset dhe sfidat gjate vitit 2024 e gjithashtu edhe për objektivat te cilat synojnë të realizojnë gjate vitit 2025, në aspektin e sigurisë në bashkësi.
Pjesëmarrësit në takim ndanë idetë e tyre për funksionimin sa më të mirë të KLSP-ve, bashkëpunimin mes tyre si dhe identifikimin e problemeve të sigurisë të bashkësive ku ata veprojnë dhe funksionojnë.
Kërkesë e KLSP-ve ishte ri-vitalizimi i këtyre forumeve të sigurisë me anëtarë të rinj dhe sigurimi i trajnimeve për këta anëtarë të rinj që në të ardhmen ata të kontribuojnë sa më mirë në këto forume të sigurisë.
Nga ana e policisë u vlerësua pozitivisht puna e KLSP-ve në aspektin e parandalimit të dukurive negative dhe njëherit u ri-konfirmua mbështetja dhe përkrahja e vazhdueshme e policisë ndaj këtyre forumeve në interes te sigurisë së përbashkët.