Policia e Kosovës, referuar vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe referuar planifikimeve operacionale policore, të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme po i ndërmerr në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante, konform angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim.
Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës është duke realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të vazhdueshme ndaj atyre që nuk zbatojnë masat anti-Covid-19, dhe masa ligjore janë ndërmarr dhe po ndërmerren në vazhdimësi.
Me datë 13.09.2021, në rajonin e Pejës, konkretisht në fshatin Ujmir të Klinës, Policia e Kosovës pas pranimit të informacioneve dhe video inçizimeve të publikuara në media se pardje gjatë një ahengu familjar nuk janë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për parandalim të përhapjes së virusit Covid 19, ka ndërmarr masat e nevojshme duke shqiptuar gjobën sipas ligjit në fuqi për mos respektim të masave të vendosura.
Me qëllim të zbatimit të masave parandaluese, apelojmë tek të gjithë qytetarët dhe bizneset që të respektojnë vendimet e marra nga qeveria e vendit, me qëllim që të ruajmë shëndetin publik si dhe të pamundësohet përhapja e mëtejme e virusit.
Policia po ndërmerr dhe do të vazhdojë të ndërmerr masa ndëshkuese ndaj shkelësve të ligjit anti-COVID-19.
Respektimi i masave dhe kufizimeve në pajtim me vendimet e fundit të nxjerra nga qeveria e vendit mbetet prioritet për parandalimin e virusit dhe ruajtjen e shëndetit publik.