Prishtinë, 26 tetor 2017
Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, më 26.10.2017 në orët e hershme të mëngjesit, në qytetin e Ferizajt ka realizuar planin operativ ”Identifikimi i emigrantëve të parregullt, ndalimi dhe kthimi i tyre në vendin e origjinës”.
Gjatë këtij aksioni policor janë identifikuar dhe ndaluar: gjashtëdhjetë e nëntë (69) shtetas nga Republika e Shqipërisë, 55 të moshës së rritur dhe 14 fëmijë, të shoqëruar nga familjarë të tyre, të cilët ishin duke qëndruar në mënyrë të parregullt/ilegale në vendin tonë.
Të gjithë të identifikuarit dhe të ndaluarit kishin hyrë legalisht në Kosovë si turistë dhe gjatë qëndrimit këtu kanë kryer aktivitete të kërkim-lëmoshës në qytetin e Ferizajt. Po ashtu edhe ndaj shtetasve kosovarë të identifikuar si strehues (akomodues) të tyre, u janë iniciuar procedurat ligjore, shqiptimi i gjobave sipas Ligjit për të huaj.
Pas kompletimit të rasteve duke u bazuar në Ligjin për të huaj Nr. 04/L-219, të gjithë emigrantët në mënyrë të organizuar janë depërtuar për në shtetin e origjinës përmes Pikës së Kalimit Kufitar-Vërmicë.
Gjatë trajtimit të tyre, kanë marrë pjesë edhe zyrtarët policorë-hetuesit e Njësisë Rajonale kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore të Ferizajt si dhe është njoftuar Qendra për Punë Sociale-Ferizaj të cilët i kanë trajtuar të gjithë emigrantët nga fushëveprimtaria e tyre, mirëpo nuk kanë gjetur elemente të trafikimit me qenie njerëzore.
Me respekt
Zyra për Informim e PK-së
DPP-Prishtinë