E enjte, 1 dhjetor 2016
Mitrovicë
Me datën 30 nëntor 2016, zyrtarët policorë të stacionit policor në Leposaviq, në bashkëpunim me hetuesit rajonalë të Policisë së Kosovës, Mitrovicë veri, pas një kohe të gjatë të punës operative në terren, në fshatin Banoviqe, komunë e Leposaviqit, kanë zbuluar fabrikën në të cilën dyshohej se në mënyrë të kundërligjshme bëhej përpunimi, prodhimi dhe distribuimi i pijeve alkoolike të falsifikuara.
Gjatë analizave dhe përpunimit të të dhënave operative, bazuar në autorizimet përkatëse nga prokurori i shtetit, Policia e Kosovës, ka realizuar bastisjen e tri lokacioneve të ndryshme në kuadër të komunës së Leposaviqit: një në fshatin Banoviqe ku është identifikuar laboratori dhe dy të tjera bastisje në Leshak të Leposaviqit, ku është identifikuar një depo dhe bastisja e një hapësire banesore, ku janë gjetur dhe sekuestruar material i provave të cilat do të përdoren për ndërmarrjen e veprimeve të mëtutjeshme ligjore.
Në vendngjarje Policia ka identifikuar:
– pajisjet (makinerinë) ilegale për prodhimin dhe mbushjen e pijeve alkoolike
– ambalazhe për mbushjen e pijeve të ndryshme alkoolike
– një sasi të shumtë të etiketave për pije të ndryshme alkoolike
– kapak për mbyllje të shisheve, si dhe
– ambalazhe për paketimin dhe distribuimin e mëtejmë.
Lidhur me rastin e regjistruar, Policia e Kosovës ka identifikuar dhe ka arrestuar një person, si të dyshuar lidhur me veprimtari kriminale sipas nenit 267 të Kodit Penal të Kosovës “prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë” dhe nenit 306 “prodhimi i ndaluar”.
Të gjitha veprimet e mëtejme hetimore lidhur me sekuestrimin dhe procedimin e provave të mbledhura do të zhvillohen nga hetuesit e njësisë përkatëse të hetuesve rajonalë të Drejtorisë së Policisë të Mitrovicës veri, në konsultim me prokurorin e Shtetit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.