Prishtinë, 4 shtator 2014
Si rezultat i vazhdimit të hetimeve, në ndërlidhje me operacionet policore të realizuara kohë më parë, sot me datën 4/9/2014 në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës, sipas urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ka ndërmarrë një operacion për zbatimin e urdhërkontrollit në dhjetë (10) lokalitete, duke përfshirë rajonin e Prishtinës, Ferizajt, Gjilanit, Pejës dhe Prizrenit.
Ky operacion policor ka rezultuar me shoqërimin e një personi të dyshuar me inicialet (Sh. K.) nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” sipas nenit 147 të KPK-së.
Gjatë zbatimit të urdhërkontrolleve janë bastisur dhjetë (10) lokalitete, prej tyre dy (2) OJQ, një (1) shtëpi private dhe shtatë (7) konvikte banimi, si dhe është duke vazhduar intervistimi i disa personave që ndërlidhen me këto lokalitete. Njësitet relevante policore në cilësi të provave materiale kanë sekuestruar dëshmi si pajisje elektronike dhe materiale të ndryshme që ndërlidhen me veprën penale.
Rasti policor është në hetim e sipër dhe të gjitha veprimet e mëtutjeshme do të ndërmerren me konsultim dhe vendim të prokurorit kompetent.