Prishtinë, 3 shkurt 2015
Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, në funksion të zbatimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe dukurive negative në vend, ka vazhduar edhe sot me arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në vepra penale.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, respektivisht Sektori për Hetimin e Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës, pas hetimeve disa mujore, ka identifikuar dhe ka arrestuar (2) dy të dyshuarit e poshtëshënuar:
• D. R. viti i lindjes 1956 mashkull/serb dhe
• I. M. viti i lindjes 1960 mashkull/shqiptar
Sipas hetimeve policore personat e arrestuar dyshohet që në bashkë-kryerje kanë kryer veprat penale si:
• moslajmërim i veprës penale kundër korrupsionit zyrtar dhe detyrës zyrtare,
• falsifikim i dokumentit dhe
• keqpërdorimin i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Të dyshuarit e lartpërmendur, dyshohet të kenë keqpërdorur pronën shtetërore, mbi 400.000 euro (katërqind mijë), në të njëjtën kohë në mënyrë të paligjshme këtë shumë e kanë përvetësuar për vete dhe për të tjerët.Me urdhëresë të gjyqtarit të procedurës paraprake të Departamentit të Krimeve të Rënda, Policia e Kosovës ka realizuar një kontroll në fshatin Llapnasell, KK-Graqanticë, duke vepruar në bazë të një plani të koduar operativ dhe në shtëpinë e të dyshuarit me inicialet D. R. janë konfiskuar dokumente të ndryshme, municion, mjete monetare dhe dëshmi tjera relevante në lidhje me rastin.
Me vendim të prokurorit kompetent, dy të arrestuarit dërgohen në qendrën e mbajtjes për 48 orë.