Prishtinë, 30 maj 2017
Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen me 11 qershor 2017.
Me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.
Planifikimi operativ parasheh implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, duke filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore 10 ditore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.
Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.
Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është:
• Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.
• Sigurimin e Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale të Zgjedhjeve, Depove Komunale, Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe Depove Qendrore.
• Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
• Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.
Policia e Kosovës njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion të dyshuar, apo çështje që ndërlidhet me aspektin e sigurisë të njoftojnë Policinë e Kosovës, në mënyrë që të ndërmerren masat e menjëhershme ligjore.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit.
Me respekt
Zyra për Informim e PK-së
DPP-Prishtinë