Prishtinë, 10 dhjetor 2015
Si rezultat i hetimeve intensive disa mujore të realizuara nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, të asistuara edhe nga njësitë mbështetëse operative policore, me datën 09.12.2015, janë kryer bastisje në tetë lokacione të ndryshme të regjionit të Prishtinës dhe Ferizajt.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore janë arrestuar shtatë persona të dyshuar, të përfshirë në vepra të ndryshme penale si; krim i organizuar , kontrabandim me migrantë , falsifikim të dokumenteve dhe trafikim me narkotikë.
Gjatë realizimit të bastisjeve në dy lokacione të ndryshme, është zbuluar një laborator dhe një punëtori për prodhimin e dokumenteve ku janë gjetur qindra pasaporta dhe materiale për prodhimin e pasaportave të shteteve të ndryshme si ; sllovene , finlandeze , çeke , bullgare , spanjolle dhe greke.
Në kuadër të dokumentacioneve të konfiskuara ka pasur edhe;
• leje qëndrime të shteteve të ndryshme si ; zvicerane , greke , italiane ,
• patentë shoferë të ndryshëm ,
• diploma , certifikata dhe shkresa të ndryshme që dyshohet se janë të falsifikuara apo të përgatitura për falsifikim ,
• një sasi e vogël narkotikëve të llojit marihuanë ,
• 20 predha të cal.7.62, një shufër metalike etj.
Laboratori i zbuluar, referuar aparaturës dhe teknologjisë moderne, si dhe referuar pajisjeve moderne të konfiskuara vërehet se është shumë i sofistikuar për prodhim të dokumenteve të sofistikuara.
Gjatë hetimit të rastit Policia Kufitare ka identifikuar shumë shtetas kosovarë që janë pajisur me këto lloj dokumentesh, duke u dëmtuar materialisht edhe juridikisht , pasi që ndaj çdo poseduesi të dokumentit të falsifikuar iniciohet procedurë penale.
Andaj Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve të këtilla .
Operacioni policor është realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe personat e ndaluar janë dërguar në mbajtje.
Me respekt
Zyra për informim e PK-së