Sot me datë 20.04.2022 rreth orës 15:00, njësia patrulluese policore në rr. ”E Ulqinit” në Mitrovicë ka ndaluar automjetin transportues- Pick up, të cilin e drejtonte i dyshuari me inicialet (B. J.). Në automjetin në fjalë ishin duke u transportuar pajisje për ndriçim artificial për të cilat pajisje drejtuesi i automjetit nuk kishte mundësi të prezantonte asnjë dokument të prejardhjes se këtyre pajisjeve.
I dyshuari-vozitësi i automjetit Pick – up me inicialet e lartë cekura (B.J) me kërkesë të Policisë është shoqëruar në Degën Doganore në Mitrovicë dhe nga aty u njoftua Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, saktësisht Sektori i Njësive Rajonale në Mitrovicë.
Pas intervistimit të të dyshuarit, konfiskimit të provave nga vendi i ngjarjes dhe sigurimit të informacioneve dhe dëshmive tjera të rastit u krijua dyshimi i arsyeshëm se personi (B.J) ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar” nga neni 299 i kodit penal të RKS-së.
Me këtë rast u kontaktua prokurori kujdestar i PTH në Mitrovicë, u njoftua mbi të gjeturat e këtij rasti dhe i njëjti lëshoi Vendim mbi ndalimin 48 orësh për personin e dyshuar, për të vazhduar hetimet e mëtejme lidhur me rastin.