Prishtinë, më 29 gusht 2024
Policia e Kosovës në vazhdën e luftës kundër kriminalitetit dhe dukurive të tjera negative, pas pranimit të informacioneve për dy persona të dyshuar që në bashkëveprim dyshohet se janë marrë me veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve’ të llojit kokainë, ka ndërmarrë veprimet hetimore dhe operative të cilat kanë rezultuar me arrestimin e tyre.
Me datë 28.04.2024 Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik- Prishtinë ka realizuar një operacion policor të koduar “pesëshi” ku fillimisht në Prishtinë është ndaluar një veturë me targa vendore të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar, ku gjatë kontrollit të tij, në trup i janë gjetur para të gatshme me vlerë 2790 euro, një telefon celular, ndërsa gjatë kontrollit të veturës i janë gjetur 22-paketime të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë në formë të ngurtë të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë, e gatshme për shitje me peshë 83 gram.
Lidhur me rastin njësia policore ka vazhduar në një lokacion tjetër ku aty ka ardhur edhe i dyshuari i dytë mashkull kosovar i cili në momentin që kishte vërejtur policinë ka tentuar të ikte por pas ndjekjes së tij i njëjti është ndaluar dhe arrestuar.
Gjatë kontrollimit të banesës që të dyshuarit dyshohet se e kanë shfrytëzuar janë gjetur :
• Një armë zjarri,
• Një karikator
• 15 – fishekë,
• 2 – peshore digjitale që shërbejnë për matje në sasi të vogla .
Në vazhdën e operacionit është bërë po ashtu kontrollimi i një garazhe dhe gjatë kontrollit të saj aty ndodhej një veturë me targa vendore pronë e njërit nga të dyshuarit, ku në pjesën e brendshme të saj janë gjetur edhe 23-paketime të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë në formë të ngurtë, të dyshuar për substancë narkotike të llojit kokainë e gatshme për shitje me peshë 133 gram.
Në lidhje me operacionin e zhvilluar në vend të ngjarjes ka dalë forenzika e cila ka bërë fotografimin dhe konfiskimin e të gjithave dëshmive të gjetura si prova material, ndërsa personat e dyshuar janë shoqëruar për inicim të rastit dhe në konsultim me prokurorin kompetent, me urdhër të tij të njëjtit pas intervistimit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48-orë.