Prishtinë, 14 nëntor 2018
Policia e Kosovës, gjegjësisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Prishtinës, pas grumbullimit të informacioneve të mjaftueshme rreth dyshimit për përfshirje të një personi të dyshuar në veprimtari penale, ka siguruar urdhër kontrollin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për kontrollimin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të një personi të dyshuar.
Kontrolli policor, në pronën e të dyshuarit, në një fshat të Lipjanit, është zbatuar më 14 nëntor 2018, duke filluar nga ora 06:50.
Policia ka sekuestruar prova materiale relevante që lidhen me rastin, gjërat e sekuestruara janë:
– dy vetura (Audi A6 dhe Audi A4), të cilat mendohet se janë blerë me para të fituara me veprën penale fajde;
– 29.520 (njëzet e nëntë mijë e pesëqind) euro, të cilat po ashtu dyshohet se i dyshuari i ka fituar me anë të kryerjes së veprës penale,
– dy telefona celularë,
– një USB-i dhe
– një fletore me shënime (dyshohet se janë të dhënat e viktimave dhe shuma e parave që ka dhënë fajde).
I dyshuari, i përfshirë në veprën penale ‘fajde’ B. S. viti i lindjes 1964, m/k/sh, është arrestuar dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me aktvendim të lëshuar nga prokurori i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.