Policët e stacionit në Shtime kishin pranuar një informatë se një person, më 15.08.2024, në një aheng familjar në Shtime, kishte shtënë me armë zjarri. Policia arriti të identifikonte të dyshuarin, mirëpo ai ishte jashtë Kosovës.
Më datën 29.11.2024, policia mori një tjetër informacion se i dyshuari i kësaj ngjarje ishte kthyer në shtëpi. Hetuesit policor shoqëruan në stacionin e policisë të dyshuarin D.SH (M/K), 32 vjeç, dhe pas intervistimit të tij nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit, u inicua rasti penal “Përdorim i armës së zjarrit apo mjetit të rrezikshëm dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. I dyshuari u lirua për procedurë të rregullt hetimore, ndërsa si provë materiale u sekuestrua arma e zjarrit (pistoletë), me të cilën dyshohet se ka shtënë në rastin e përmendur më lart.