Prishtinë 9 nëntor 2016
Pas hetimeve intenzive disa mujore, sot më datën 09. 11.2016. duke filluar nga ora 08:00 , Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, të asistuar nga njësitet patrulluese të stacioneve përkatëse policore, Dogana dhe AUV-i , ka ndërmarrë një operacion të gjërë të bastisjeve në tetë lokacione të ndryshme të Regjionit të Gjilanit, Ferizajt dhe Prizrenit.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar në cilësi të provave materiale 54 kafshë ( gjedhe dhe lopë) që dyshohen se janë të kontrabanduara përmes rrugëve ilegale, kryesisht nga Serbia dhe Maqedonia, qindra matrikula, pasaporta dhe dokumente tjera që dyshohen se janë të falsifikuara e që kanë shërbyer për kontrabandimin e kafshëve. Po ashtu janë sekuestruar edhe dy armë, një revole dhe një pushkë gjuetie .
Me veprimet e tilla të kundërligjshme, duke ju shmangur zhdoganimit, kontrabanduesit kanë dëmtuar buxhetin e shtetit dhe kanë rrezikuar ndjeshëm shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës pasi që kafshët e kontrabanduara nuk janë kontrolluar nga autoritetet kompetente shëndetsore.
Pas realizimit të bastisjeve janë arrestuar në cilësi të personave të dyshuar;
H. SH; A. B; A.A; D.R; I.H; A.P; M.H; N.H; Z. Z. dhe M H të cilët dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme , të organizuar dhe në bashkëpunim kanë kryer disa vepra penale që kryesisht ndërlidhen me krim të organizuar, kontrabandim me mallëra, falsifikim të dokmenteve, legalizim i përmbajtjes së rreme, tregti e ndaluar, posedim i pa autorizuar i armëve dhe municionit etj.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe një mjek veterinar dhe dy punëtor të Ambulances Veterinare në Ferizaj
Ky operacion i bastisjeve dhe arrestimeve i titulluar ‘ Matrikula ‘ është kryer me urdhër të Prokurorisë respektivisht Gjykatës Themelore në Gjilan.
Me respekt
Zyra për Informim e PK-së
DPP-Prishtinë