Prishtinë, 13 qershor 2019
Lidhur me operacionin policor të filluar me datën 11 qershor 2019, ku në fokus ishin veprimtaritë e kundërligjshme në objekte hoteliere ju njoftojmë se deri tani operacioni është realizuar sipas planifikimeve të parapara. Operacioni policor është realizuar në bashkëpunim me autoritetet tjera me ç’ras janë kontrolluar 272 lokale (motele/bujtina) dhe ka rezultuar me mbylljen e 29 lokaleve, të cilat nuk i plotësojnë kriteret e parapara sipas procedurave dhe ligjeve në fuqi.
Ashtu siç është bërë e ditur me datë 11.06.2019): një rast është adresuar sipas kompetencës lëndore tek njësiti rajonal në Prishtinë për posedim ilegal të narkotikëve, dhe disa raste tjera si ne vijim;
Një rast është adresuar njesitit kompetent në Prizren, me dyshimin për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me personin nën moshën 16 vjeçare” ku janë konfiskuar dy dokumente (të dy shtetaseve të Shqipërisë) që janë hasur në Pejë, pa leje qëndrimi, për procedura të metejme.
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Operacion policor në shkallë vendi, target veprimtaritë e kundërligjshme në objekte hoteliere
Prishtinë, 11 qershor 2019
Policia e Kosovës, në përpjekjet e saj për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, ka zhvilluar planin operacional në drejtim të identifikimit të të gjitha objekteve hoteliere, moteleve (bujtinave) në tërë territorin e Republikës së Kosovës (target sot kanë qenë mbi 100 objekte). Ky aktivitet është zhvilluar duke përdorur edhe resurset tjera institucionale në bashkëpunim me institucionet përkatëse që kanë për domen këtë fushë të veprimtarisë ekonomike.
Për bashkërendim të procedurave ligjore janë kontaktuar të gjitha prokuroritë kompetente në të gjitha regjionet respektive të Republikës së Kosovës.
Kontrolli i filluar sot me datën 11.06.2019 është i njëkohshëm dhe ka shtrirje në tërë territorin e vendit. Kontrolli do të realizohet në të gjitha lokalet e këtij lloj biznesi (të regjistruara dhe të paregjistruara) dhe në fazën e parë në fokus të operacionit janë objektet-bizneset që kanë frekuentim më të madh të klientëve, ndërsa operacioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.
Në këtë operacion policor janë të përfshira të gjitha njësitet kompetente policore dhe ato të specializuara për luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, njësitet kundër trafikimit me qenie njerëzore, pastaj inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës.
Operacioni i sotëm ka filluar në orën 10:00 dhe deri në këtë kohë të raportimit çdo gjë është duke u zhvilluar sipas planifikimeve paraprake.
Kontrolli ka për qëllim të kryejë inspektim të përgjithshëm për të identifikuar/ndjekur të gjitha parregullsitë apo veprat penale të hasura gjatë kohës së zhvillimit të operacionit.
Në fazën fillestare të aksionit janë identifikuar tri (3) lokale që operojnë ilegalisht. Gjithashtu gjatë kësaj faze të operacionit është takuar edhe një shtetas i huaj i cili kishte në posedim substancë të dyshuar narkotike dhe gjësende tjera (pajisje elektronike-kompjuter) që dyshohet të jenë produkt i veprës penale. Njësitet e antidrogës po ashtu janë involvuar për trajtimin e këtij rasti dhe procedimin sipas procedurave ligjore.
Policia e Kosovës do të vazhdojë me aktivitetet e saj dhe operacionet policore në funksion të luftimit të dukurive negative të të gjitha llojeve, si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar të involvuar në aktivitete të kundërligjshme.
Me respekt
Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Prishtinë