Prishtinë, 9 shkurt 2022,
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjilan, ka zhvilluar hetime lidhur me një tender furnizimi për shkolla në Kamenicë, ku të dyshuar ishin komisioni vlerësues i Komunës dhe pronari i një kompanie, të cilët dyshohej se kanë mashtruar me një procedurë tenderuese për një tender me vlerë prej mbi 35 mijë euro (€) .
Gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi relevante se komisioni prej tre (3) anëtareve kanë nënshkruar raportin e pranimit të mallit, pa ardhur malli, duke dëmtuar buxhetin e komunës, e duke i mundësuar operatorit ekonomik përfitim të kundërligjshëm për shumën e lartcekur.
Me këto veprime të dyshuarit me iniciale (P.J., I.Z. dhe F.D), dyshohet se kanë kryer veprën penale ,”Keqpërdorim i Pozitës apo autoritetit zyrtare”, ndërsa i dyshuari me iniciale (A.K.) pronar i kompanisë dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë mbi 35 mijë €uro, për tenderin në fjalë, pasi që i njëjti nuk i është përmbajtur kontratës dhe deri tani nuk ka bërë furnizimin me mall, me çka dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik”.
Sot me datën 09.02.2022 në cilësinë e të dyshuarave janë intervistuar pronari i kompanisë dhe tre anëtaret e komisionit të përmendur më lartë me iniciale, në prezencën e avokateve sipas detyrës zyrtare dhe pas përfundimit të intervistave katër të dyshuarit, me Aktvendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë për proceduar të mëtejme.