Mitrovicë, 26 tetor 2018
Fushata e nisur ditë më parë nga Sektori për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë, e përkrahur nga OSBE-ja, nën moton ‘Dhuna nuk arsyetohet është mbajtur sot në Mitrovicë, nën organizimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë.
Aktiviteti në kuadër të fushatës është mbajtur në ambient të hapur në sheshin ‘Mehë Uka ‘ në Mitrovicë, ku morën pjesë struktura të Policisë nga niveli qendror e rajonal, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, zyrtarë të Komunës së Mitrovicës, nxënës, mësimdhënës, punonjës të shëndetësisë, OJQ e shoqëri civile.
Për qëllimin e fushatës kundër dhunës në familje, foli Drejtoresha e Policisë në Mitrovicë nënkolonel Afërdita Mikullovci, e cila tha se angazhimet policore në trajtimin e rasteve të dhunës në familje trajtohen në suaza të autorizimeve të përcaktuara me ligj, si dhe qasja e Policisë do të jetë aktive si në parandalim, vetëdijesim e ndërgjegjësim, siç ishte aktiviteti i sotëm.
Ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë z. Shyqyri Syla, në fjalimin e tij, rikonfirmoi gatishmërinë dhe qasjen aktive të prokurorisë në raport me rastet e dhunës në familje, si një ndër veprat që trajtohet me prioritet të veçantë.
Përveç fjalimeve këtë aktivitet në kuadër të fushatës ditore, e pasuruan me aktivitete edhe nxënës të shkollave fillore e të mesme, ku u recituan poezi, ese, pika muzikore dhe një pjesë skenike e nxënësve të teatrit të qytetit. Të pranishmëve u janë shpërndarë broshura dhe materiale me përmbajtje vetëdijesimi në parandalimin e dhunës në familje.