Pejë, 28.2.2014 – Policia e Kosovës, përkatësisht njësitë policore të stacionit policor në Pejë, në bashkëpunim me NjShR, me datën 28.02.2014 rreth orës 13:10 në rr. ”Enver Hadri” në Pejë, ka realizuar një plan operacional bastisje në kafiteritë “Time Caffe”, “Fratelli” dhe “Në shtëpi”, me ç’rast në kafiterinë “Time caffe” gjatë bastisjes nën një kolltuk pranë të cilit ishte edhe i dyshuari shtetasi Kosovës Egzon M. (1990) nga Peja, është gjetur arma pistoletë “Elko Tuna”cal.8 mm. Një (1) karikator dhe 6 fishekë cal.6.3 mm. Policia menjëherë ka bërë konfiskimin e armës, është arrestuar i dyshuari dhe është shoqëruar për në stacion policor për intervistim për dyshim të bazuar të veprës penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll, shfrytëzim të paautorizuar të armës. Pas intervistimit i njëjti është mbajtur në ndalim policor me urdhër të prokurorit të shtetit.Ndërsa në kafiterinë “Fratelli” zyrtarët policorë kanë arritur ta vërejnë të dyshuarin shtetasin e Kosovës Granit I. (1991) nga Peja duke shkuar në drejtim të tualetit, me ç’rast ka hedhur nga dritarja një portofol, ku në të kishte katër (4) qese plasmasti të vogla, substancë e dyshuar narkotike ngjyrë e gjelbër e llojit marihuanë. Ky i dyshuar është arrestuar, i është konfiskuar substanca e dyshuar narkotike dhe i njëjti është intervistuar nga hetuesit rajonalë të sektorit antidrogë për dyshimin e bazuar të veprës penale ‘blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge. Substanca narkotike e matur në peshoren zyrtare të PK-së, ka peshuar 7.4 gr. Me urdhër të prokurorit të shtetit i është shqiptuar masa e ndalimit policor.Në kafiterinë “Në shtëpi” gjatë bastisjes në çantën e krahut të dyshuarit shtetasit të Kosovës Brikend Z.(1995) i është gjetur një mjet i mprehtë (thikë) dhe një elektroshok. Ky i dyshuar është arrestuar, i janë konfiskuar mjetet e kundërligjshme dhe i njëjti është shoqëruar në stacionin policor Pejë për intervistim për dyshimin e bazuar të veprës penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll, shfrytëzim të paautorizuar të armës thikë – elektroshok. Pas intervistimit i njëjti është ndaluar në ndalim policor me urdhër të prokurorit të shtetit.