Prishtinë, 30 qershor 2016
-Me qëllim të vazhdimit të avancimit të bashkëpunimit ndërpolicor ndërmjet dy vendeve, si dhe intensifikimit të marrëdhënieve përmes planifikimeve dhe zbatimit të masave të përbashkëta policore:
Sot me 30.06.2016, në Prizren, z. Shpend MAXHUNI, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe z. Haki ÇAKO, drejtori i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në Republikën e Shqipërisë gjatë sezonit veror.
Ky memorandum mbulon periudhën prej datës 1 korrik 2016 deri me 31 gusht 2016.
Qëllimi i këtij memorandumi është vendosja e bashkëpunimit konkret në fushën e parandalimit të kundërvajtjeve administrative, për rritjen e efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, për krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet.
Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi të dy drejtorët, z. Maxhuni dhe z. Çako vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme të dy policive, jo vetëm në fushën e policimit rrugor por edhe në të gjitha format tjera të luftimit të kriminalitetit.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi të dy drejtorët u pajtuan që të krijohen kushte lehtësuese për qytetarët e të dyja vendeve për përdorimin e pikave kufitare dhe atyre turistike gjatë realizimit të udhëtimeve të tyre.
Turni i parë i zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës do të udhëtojnë për në Republikën e Shqipërisë me datën 01.07.2016, përderisa një konferencë për media do të organizohet po këtë ditë nga ora 10:00, në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë.
Me këtë rast ftohen të gjitha mediat e interesuara që të përcjellin këtë aktivitet.