Suharekë, 13 shkurt
Rreth orës 09:25 minuta, policia në Suharekë është informuar se në oborrin e Shkollës së Mesme Teknike “Skënder Luarasi” ka ndodhur një përleshje në mes të dy nxënësve të së njëjtës klasë që për pasojë njëri nxënës është therur me thikë. I plagosuri fillimisht është dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Suharekë për trajtimin e plagës e më pas është transferuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren. Për fat plaga është nën zemër dhe nuk paraqet rrezik për jetë thuhet në raportin mjekësor. Për hetimin e rastit në vendin e ngjarjes kanë dalë njësite kompetente të policisë të cilët e kanë arrestuar të dyshuarin i cili kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe e kishte fshehur thikën. Është informuar prokurori i shtetit, zyrtarë të shkollës, përfaqësuesi i Qendrës për Punë Sociale, avokati mbrojtës dhe prindërit e fëmijëve. Për shkak të moshës së mitur (nën 16 vjeç) i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.