Mitrovicë, 12 gusht 2015
Si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit, gjegjësisht dukurisë së vjedhjes së veturave, ku cak i këtyre vjedhjeve janë veturat e shtrenjta të llojit: Audi A5/A6 dhe BMW X5, kryesisht me targa të vendeve tjera, pa përjashtuar edhe ato me targa vendore, këto raste javën e fundit janë evidente edhe në rajonin e Mitrovicës.
Duke pasur parasysh se fluksi i veturave nëpër rrugë, kryesisht nëpër ato urbane ditëve të fundit është jashtëzakonisht i madh, kapaciteti infrastrukturor nuk përmbush nevojat e mjaftueshme sidomos mundësinë e parkimit të veturave, në këto rrethana drejtuesit e veturave jo rrallëherë ndalojnë dhe parkojnë veturat në vende dhe zona që nuk janë të destinuara për parkim, ku parkimi në rrethana të tilla mund të jetë cak i dëmtimit apo vjedhjes.
Me qëllim të parandalimit të vjedhjes së veturave apelojmë tek qytetarët, drejtuesit e veturave, që të kenë kujdes se ku dhe në të cilat zona t’i parkojnë veturat, kryesisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës, po ashtu të kenë parasysh zonat ku nuk ka ndriçim, si dhe t’u rikujtohet drejtueseve se parkimi i veturave të bëhet në mënyrë të sigurt, përfshirë mbylljen dhe çelësimin e tyre.
Duke iu përmbajtur këtyre këshillave ju do të zvogëloni mundësinë e të qenurit viktimë e vjedhjes së veturës tuaj:
• Kini parasysh dhe vlerësoni se ku po parkoni veturën tuaj.
• Parkimi i veturave në zonat që nuk janë të destinuara për parkim, mund të jetë cak i dëmtimit apo vjedhjes.
• Parkimi i veturave në zona ku nuk ka ndriçim mund të jetë cak i dëmtimit apo vjedhjes.
• Mos ekspozoni gjësende që duken e që mund të jenë cak i dëmtimit apo vjedhjes së veturës.
• Mos e lini portofolin, dokumentet tjera personale, përfshirë pasaportën, brenda në veturë.
• Parkimi i veturës suaj të bëhet në mënyrë të sigurt, si mbyllja dhe çelësimi.
• Kujdes të shtuar në aspektin e sigurisë së veturës duhet të keni në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës.Përveç apelit policia ka filluar që te qytetarë të shpërndajë fletëpalosje me këshilla për veprime preventive në sigurimin e veturave nga ana e pronarëve. Nëse ju vëreni ndonjë sjellje të dyshimtë në zonën afër veturës tuaj, thërrisni Policinë në numrin 192.