Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizua, konkretisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, sot ka arrestuar një person të dyshuar, nën dyshimin se ka kryer vepër penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit” sipas kodit penal të Republikes së Kosovës.
Personi i dyshuar tani më i arrestuar dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, kishte vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si menaxher, dhe pastaj këto të dhëna i njëjti i kishte përdorur duke bërë blerje të kriptovalutave në një platformë online të kriptovalutave.
I dyshuari ka fotografuar kartelat bankare në momentin kur klientët ia kanë dhënë kartelën arkatarës për të bërë pagesë, në disa raste i dyshuari e ka marrë kartelën e bankës nga arkatarja dhe në mënyrë të fshehtë me telefonin e tij i ka fotografuar kartelat në të dy anët me qëllim që këto të dhëna pastaj ti përdor për përfitime materiale në mënyrë të kundërligjshme.
Në këtë rast janë identifikuar disa të dëmtuar në disa banka të ndryshme të Kosovës, dhe dëmi i shkaktuar është disa mijëra euro.
Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.