Prishtinë, 10 korrik 2014
Si vazhdimësi e hetimeve të përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Sllovenisë, me 9.7.2014 rreth orës 15:00, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në rajonin e Suharekës, ka realizuar një operacion policor, me ç’ rast ka konfiskuar rreth 10 kilogramë substancë narkotike, që dyshohet se është e llojit marihuanë.
Lidhur me këtë rast hetuesit policorë kishin pranuar një informatë nga Policia e Sllovenisë se një i dyshuar mashkull kosovar që ishte arrestuar nga Policia në Slloveni, dyshohet se në shtëpinë e tij në Kosovë mund të ketë sasi të substancës narkotike.
Hetuesit policor në konsultim me prokurorin e Prokurorisë Speciale dhe gjyqtarin e procedurës paraprake në Prizren ka filluar operacionin policor , duke bërë kontrollin e shtëpisë së të dyshuarit, me ç’rast në garazhin e shtëpisë së tij janë gjetur dy çanta me substancë narkotike, e cila dyshohet të jetë marihuanë.
Pas përfundimit të procedurave policore është bërë matja e peshës e cila rezulton të jetë rreth dhjetë kilogram (10 kg), të cilat janë konfiskuar në cilësi të provave materiale. Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë operacion policor janë kryer nën autorizim të prokurorit përkatës.