Prishtinë, 02 dhjetor 2022
Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë të ndodhur më datë 30 nëntor 2022, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë, Policia e Kosovës me njësitet e saj hetimore dhe operative, në koordinim me Prokurorinë e shtetit, ka punuar intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e personit të dyshuar.
Bazuar në hetimet intensive dhe veprimet operative-hetimore, sot më 02 dhjetor 2022, rreth orës 13:45 njësitet policore kanë arritur të lokalizojë vendndodhjen e të dyshuarit mashkull kosovar, Sokol Halili, viti i lindjes 1991, i cili gjendej në fshatin Davidovc të komunës së Shtimes.
Policia e Kosovës me njësitet relevante, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore përfshirë masat e sigurisë në këtë lokacion, si dhe ka aplikuar masat e negocimit me personin e dyshuar për t’i mundësuar të njëjtit dorëzimin.
Përkundër të gjitha masave të ndërmarra dhe tentativës për negocim, nga njësitet dhe kompetentët policorë i njëjti nuk është dorëzuar dhe me armës zjarri ka kryer aktin e vetëvrasjes.
Lidhur me rastin janë duke vazhduar veprimet e mëtejme nga njësitet relevante policore, përfshirë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, përderisa për procedura të mëtejme janë informuar Prokuroria dhe Inspektorati Policor i Kosovës.