KOMUNIKATË E PËRBASHKËT NGA PROKURORIA SPECIALE DHE POLICIA E KOSOVËS
ME URDHËR TË PROKURORISË SPECIALE POLICIA E KOSOVËS KRYEN URDHËR KONTROLL NË KOMUNAT VERIORE
Prishtinë, 29 shtator 2023, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se me kërkesë të PSRK-së dhe me urdhër të gjykatës, në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ka zhvilluar sot aksion për bastisje në pesë (5) lokacione të ndryshme në komunat e pjesës veriore të Kosovës, kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarve M.R dhe V.R.
Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se operacioni policor ndërlidhet me sulmin terrorist të datës 24.9.2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, si dhe urdhër kontrolli është zhvilluar në pronat e të dyshuarve M.R dhe V.R. dhe në hapësirën e një objekti ndihmës të Spitalit Rajonal në Mitrovicën e Veriut. Ky objekt i spitalit përdoret për sistemin e ngrohjes së spitalit dhe nuk ndërlidhet me hapësirat e spitalit ku trajtohen pacientët.
Pas realizimit të urdhër kontrollit, në cilësi të provave materiale, në pronat e të dyshuarve janë sekuestruar:
• 2 automjete të tipit ‘mercedes’
• argjend 4.84 kg.
• 2 motorë 4X4
• 1 barkë-anije
• 7 DVR
• 2 pllaka antiplumb me dy mbrojtës
• 3 thika
• 2 rutera
• 2 çelësa të veturave
• 5 gëzhoja
• 1 dron
• 5 USB
• 1 kamera GoPro- SSD
• 1 video kamerë me kartelë
• 1 shënjestër optike
• 1 sprej
• 7 telefona celularë
Po ashtu, Prokuroria Speciale do të parashtrojë urdhrin ndalues në gjykatën kompetente për sekuestrim të një vile buzë liqenit të Ujmanit, një penthause dhe një lokali.
Prokuroria Speciale njofton se Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhimet e saj në realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues, ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve pa dallim.
Njëkohësisht Policia e Kosovës, fton dhe falënderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin e treguar, në rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale.