rishtinë, 22 korrik 2015Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik lidhur me deklaratën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, z. Shpend Maxhuni, në Komisionin Parlamentar për Siguri, që ka të bëjë me numrin e personave pjesëmarrës në luftën e Sirisë, sqaron se:Policia e Kosovës që nga fillimi, respektivisht nga viti 2012, në vazhdimësi ka përcjellë dhe ka monitoruar zhvillimet në Kosovë, që ndërlidhen me aktivitetet apo lëvizjet e individëve të caktuar të cilët mund të kenë shkuar në Siri nga vendi ynë.Duke iu referuar kësaj periudhe, pra nga 2012 deri më tani, numri i pjesëtarëve që kanë qenë të përfshirë në luftimet në Siri mund të jetë rreth (300) persona, ndërsa numri aktual i personave që dyshohet se tani marrin pjesë në zhvillimet apo aktivitetet e ndryshme në luftën e Sirisë është rreth (100) persona.Pra, numri aktual i personave që dyshohet se marrin pjesë në luftën në Siri është rreth (100) persona dhe jo (300) siç raportohet apo keqinterpretohet nga disa mediume-portale, sepse ky numër prej 300 personave përfshin gjithë periudhën kohore, e jo periudhën aktuale. Drejtori i Përgjithshëm i PK-së z. Maxhuni, në Komisionin Parlamentar për Siguri informoi edhe lidhur me masat e ndërmarra nga Policia e Kosovës për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe ka folur edhe për rastin e arrestimeve dhe veprimeve policore në rastin e Badovcit. Prandaj, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, ndërsa Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë.