Prishtinë, 26 qershor 2016
Sot më 26.06.2016, duke filluat nga ora 09:30, në Prishtinë, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare Kundër Abuzimit dhe Trafikimit me Droga u mbajt një konferencë e organizuar nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me OSBE- në (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë).
Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë z. Nehat Mustafa, Zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, njëherit Koordinator Kombëtar Kundër Narkotikëve foli për rëndësinë e angazhimit të institucioneve relevante, shoqërisë dhe mediave në trajtimin e kësaj dukurie, si dhe nevojën për sensibilizim të qytetarëve në parandalim edhe përmes aktiviteteve dhe fushatave të ndryshme vetëdijësuese. Ai gjithashtu potencoi rolin e Strategjisë Kundër Narkotikëve si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtarë në luftimin e trafikimit me narkotik.
Ndërsa, Toger Bajram Nuhiu nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Policinë e Kosovës, përmes një prezantimi shpalosi informacione relevante lidhur me substancat narkotike në përgjithësi, rreziqet nga këto substanca, si dhe angazhimet, rezultatet dhe objektivat e Policisë së Kosovës, në funksion të parandalimit dhe luftimit të kësaj dukurie shqetësuese.
Pjesëmarrës në këtë konferencë për të diskutuar ishin edhe akterë tjerë relevant si përfaqësues të Këshillave Komunale për Siguri në Bashkësi, nxënës dhe studentë të niveleve të ndryshme, si dhe përfaqësues të mediave.