SQARIM PËR MEDIA
Informim i opinionit lidhur me shkrimin në portalin ‘Gazeta Blic’
Prishtinë, 29 korrik 2015
Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik lidhur me shkrimin publikuara dje (28 korrik 2015) në portalin ‘Gazeta Blic’ për kinse Policia e Kosovës shantazhon kryeredaktorin e portalit ‘Gazeta Blic’, Adrian Çollaku, reagon ndaj këtij shkrimi dhe sqaron me sa vijon: Policia e Kosovës ka filluar hetimin e këtij rasti të publikimit të dokumentit zyrtar konfidencial të Njësisë së Inteligjencës Financiare me kërkesë të kësaj njësie, pasi që këto të dhëna janë publikuar fillimisht në portalin ‘Gazeta Blic’. Hetimi i rastit ka filluar me datën 9.4.2015 nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe për këtë qëllim sot është ftuar z. Adrian Çollaku për t’u intervistuar lidhur me dyshimet për publikimin e dokumentit konfidencial. Fillimi i hetimit dhe zhvillimi i hetimeve lidhur me këtë rast ka filluar në institucionet e autorizuara të zbatimit të ligjit, me ç’rast PK-ja ka pranuar informacione për këtë publikim të dokumentit konfidencial zyrtar nga Njësia e Inteligjencës Financiare. Më pas Policia në konsultim me Prokurorinë ka ndërmarrë veprimet hetimore në kuadër të procedurave ligjore.Lajmi i publikuar dje (28.07.2015), se kryeredaktori z. Çollaku është duke u shantazhuar, nuk qëndron. Gjithashtu, informacionet se Policia është në shërbim të politikës ditore, po ashtu edhe ky lajm nuk qëndron dhe nuk është i vërtet. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ja dhe është plotësisht e pavarur dhe profesionale, dhe nuk është në shërbim të politikës së askujt, por është në shërbim të të gjithë qytetarëve.Këto veprime janë ndërmarrë mbi bazën e dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të udhëhequr nga prokurori kompetent, më konkretisht Policia e Kosovës ka pranuar autorizimin me shkrim me datën 27 korrik 2015 nga prokurori kompetent në këtë rast për të zhvilluar intervistë me z. Çollaku.Ne i sigurojmë të gjithë qytetarët se të gjithë janë të barabartë para drejtësisë dhe ligjit dhe pavarësisht pozitës dhe statusit që dikush mund të ketë nëse ka bazë për hetim do të jetë pjesë e hetimeve siç është e përcaktuar me ligj. Ne jemi në zbatim të parimit të drejtësisë se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Prandaj, në këtë kontekst dëshirojmë të informojmë opinionin publik se Policia në asnjë rast përfshirë edhe këtë nuk punon me urdhra tjera përpos atyre ligjorë dhe procedurës së paraparë në Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Policinë.