Prishtinë, 26 mars 2016
Policia e Kosovës (PK), me qëllim të vazhdimit të informimit të drejtë të opinionit publik, lidhur me shkrimin e publikuar me (25.03.2016) në portalin “Koha.net”, e që mban titullin “Fol kryeministër, pse u hoqën rojet nga shtëpia jote kur u votua Thaqi”, reagon ndaj këtij shkrimi dhe deklarimeve të tilla të pavërteta dhe sqaron me sa vijon:
Policia e Kosovës të gjitha veprimet e saja, duke i përfshirë ato të ofrimit të sigurisë ndaj rezidencës së Kryeministrit, i ka realizuar konform autorizimeve dhe procedurave të parapara ligjore.
Referuar legjislacionit në fuqi, që nga data e emërimit te z.Mustafa si Kryeministër i vendit, i është caktuar ofrimi i sigurisë së tij dhe rezidencës 24 orë 7 ditë në javë.
Policia e Kosovës në bazë të përgjegjësive të saja edhe në ditën e specifikuar ka ofruar siguri për rezidencën e Kryeministrit, me pjesëtaret e PK-se të cilët kanë qenë të caktuar me detyrë në perimetrin e brendshëm të rrethojës së rezidencës së Kryeministrit, të cilët atë ditë kanë arritur të intervenojnë në fikjen e koktej molotovit të hedhur drejt rezidencës së Kryeministrit.
Referuar prezencës policore dhe gjendjes faktike, nuk bëhet fjalë për kurfar largimi të njësisë policore nga rezidenca e Kryeministrit.
Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët pa dallime se veprimet e saj i bazon në Kushtetutën e vendit dhe Legjislacionit në fuqi.
Me respekt,
Zyra për informim e PK-se
DPP-Prishtinë