Policia e Kosovës me qëllim, informimin e drejt të opinionit publik lidhur me shkrimet e publikuara sot (08.04.2014) në disa portale të ndryshme, ku thuhet se u arrestuan pesë student nga Policia e Kosovës gjatë vizitës së Kryeministrit të Kosovës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, reagon ndaj këtyre shkrimeve të pavërteta dhe sqaron me sa vijon: Sot rreth orës 11:30 për vizitë në Qendrën e Studentëve ka qëndruar Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Hashim Thaqi i përcjellë nga stafi i tij, i cili gjatë vizitës është pritur në takim nga drejtori i Qendrës së Studentëve z.Fatmir Sfishta. Pas përfundimit të takimit dhe pas drekës me studentët në mensën e Studentëve, Kryeministri ka mbajtur një konference për media, ku gjatë realizimit të konferencës 4-5 student kanë ndërhyrë dhe e kanë fyer Kryeministrin, me qëllim të pengimit të mbajtjes së konferencës. Për të mos u penguar realizimi i konferencës si dhe për shkaqe sigurie personat në fjalë janë larguar menjëherë nga sigurimi dhe gjithçka ka përfunduar pa ndonjë ekses. Vlen të potencohet se nuk ka ndodhur arrestimi i asnjë personi apo studenti nga zyrtaret policor, siç potencohet në disa portale.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe zbatimit të ligjit me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike.
Me respekt, Zyra për Informim e PK-se