Prishtinë, 28 Nëntor 2015, ora 16:45
Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore ka vazhduar me monitorimin e situatës dhe realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, duke përfshirë edhe obligimet ligjore drejt zbatimit të Urdhër Arresteve të lëshuara nga organet e drejtësisë.
Referuar zhvillimeve dhe lëvizjes së disa personave, duke përfshirë edhe personin e kërkuar me Urdhër Arrest drejt selis së subjektit politik Vetëvendosje, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarr masat e nevojshme ligjore për sigurimin e lokacionit dhe ndalimit të personave të kërkuar.
Një grup prej disa personave kanë qëndruar para selis duke protestuar dhe duke penguar zyrtarët policor në realizimin e detyrave dhe obligimeve ligjore, ku gjatë veprimeve policore janë arrestuar disa prej tyre të cilët kanë penguar dhe sulmuar zyrtarët policor.
Bazuar në dyshimet e bazuara se personi i kërkuar me Urdhër Arrest (z.Kurti) dhe persona të tjerë gjendet brenda në objektin e selisë së Vetëvendosjes, njësitet relevante policore në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent janë detyruar të veprojnë brenda në objekt për të realizuar dhe zbatuar Urdhër Arrestet.
Njësitet relevante policore pas intervenimit brenda në objekt kanë hasur në rezistencë të disa personave të dhunshëm të cilët kanë qenë brenda në objekt, e të cilët kanë hedhur mjete të ndryshme të forta drejt zyrtarëve policor, duke përfshirë shkopinj, karrige, tavolina, mjete të metalta dhe sprej, ku si pasojë e saj dy polic dhe dy persona tjerë kanë pësuar lëndime.
Zyrtaret policor bazuar në situatën dhe veprimet e dhunshme të shfaqura nga personat brenda në objekt, kanë vepruar konform autorizimeve ligjore dhe kanë arrestuar disa persona të cilët janë shoqëruar në stacione policore për procedura të mëtutjeshme.
Njësitet relevante policore të cilat ishin në kërkim të personit të kërkuar me Urdhër Arrest (z.Kurti), kanë arritur ta lokalizojnë dhe të njëjtin ta shoqërojnë për në organet e drejtësisë, ashtu siç parashihet me Urdhër Arrest.
Policia e Kosovës me qëllim të realizimit të gjitha veprimeve policore, ka angazhuar të gjitha njësitet relevante policore për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të kryer vend shikimet e vendit të ngjarjes.
Të gjitha veprimet e mëtutjeshme policore do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent, duke përfshirë edhe veprimet lidhur me shoqërimin e deritanishëm (16:45) të tetëdhjetë e shtatë (87) personave në stacione policore.
Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saja vazhdon me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend.