Policia e kosovës
Policija Kosova / Kosovo Police

Informacione lidhur me protestën e datës 4 shkurt 2015

Prishtinë, 3 shkurt 2015, ora 16:00
Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën/demonstratën e paparalajmëruar, siç parashihet me Ligjin mbi tubimet publike, e cila pritet të mbahet nesër (04.02.2015) në orën 12:00 në Prishtinë, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ për menaxhimin e protestës, i cili ka për qëllim mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestës.
Vlen të potencohet se edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të PK-së, për të kontaktuar me organizatorët e kësaj proteste, për të diskutuar rreth mbarëvajtjes së qetë të kësaj proteste, i cili është qëllimi primar i Policisë së Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të mos përgjigjes deri më tani nga ana e organizatorëve.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve.
Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.
Bazuar në informacionet policore dhe vlerësimet e bëra të protestave të mëhershme, protesta e nesërme pritet të jetë e dhunshme, ku në mesin e protestuesve mund të ketë edhe persona të armatosur, të cilët kanë për qëllim destabilizimin e situatës dhe shkaktimin e incidenteve, qoftë ndaj zyrtarëve policorë apo edhe ndaj vetë protestuesve.
Për këtë arsye Policia e Kosovës APELON tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprim i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rend dhe siguri publike.
Policia e Kosovës APELON edhe tek prindërit dhe tek personeli arsimor, që të ndikojnë tek nxënësit, që të mos jenë pjesë e protestës dhe shfaqjes së mundshme të dhunës.Policia e Kosovës siguron opinionin e gjerë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë dhe mbarëvajtjen e qetë dhe pa incidente të kësaj proteste.Secili qytetar ka të drejtë të shprehë pakënaqësitë e tij në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme, por në anën tjetër janë të obliguar dhe përgjegjës për respektimin e ligjit gjatë pjesëmarrjes në protestë.
Policia e Kosovës do të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit, çdo herë duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe çdo herë duke treguar sjellje profesionale gjatë realizimit të detyrave policore.Policia e Kosovës po ashtu u bën APEL edhe qytetarëve dhe bizneseve të cilët nuk janë pjesë e protestës, por janë në afërsi të ambientit ku mund të zhvillohet kjo protestë, të jenë të kujdesshëm për shkaqe sigurie.Policia e Kosovës, falënderon të gjithë qytetarët për mirëkuptimin e shprehur dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të treguar me zyrtarët policor gjatë realizimit të detyrave policore.
Bashkangjitur keni shkresën zyrtare adresuar organizatorëve për takim lidhur me protestën. 

Statstikat e përgjithshme: 2024-11-22
0
Aksidentet Fatale
10
Aksidentet Me te Lenduar
32
Aksidentet Pa te Lenduar
1880
Tiketa Trafiku Te Shqiptuara
17
Arrestime
7
Ne Mbajtje