Prishtinë, 26 shkurt 2015, ora 21:00
Referuar informacioneve të pranuara nga tereni është verifikuar se tri lokacionet ku janë gjetur dhe konfiskuar nga policia sasia e mjeteve të dyshuara, (6) çanta me (39) shishe koktej molotovi dhe (38) copë shishe me ngjyrë janë;
• Sheshi Adem Jashari – ( janë hedhur koktej molotovi drejt zyrtarëve policor dhe objektit të kuvendit të RKS-se, si dhe janë konfiskuar sasi të koktej molotovit).
• Rruga “Ilir Konushevci” te shtëpia e Kryeministrit të Kosovës – (është sulmuar me koktej molotovi hyrja e shtëpisë së kryeministrit të RKS-se, si dhe në afërsi të sajë janë konfiskuar një koktej molotovi i pashpërthyer dhe dy të tjerë të shpërthyera).
• Sheshi Skënderbeu – (brenda në tenda janë konfiskuar koktej molotovi, shishe me ngjyrë dhe sprej).
__________________________________________________________________________
INFORMACION PËR MEDIA
Informacion i Policisë së Kosovës lidhur me veprimet policore te Kuvendi i Republikës
së Kosovës dhe mbarëvajtjes së protestës
Prishtinë, 26 shkurt 2015,
Policia e Kosovës, lidhur me seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe protestën e pa paralajmëruar ligjërisht duke përfshirë edhe zhvillimet tjera të mundshme, ka bërë planifikimet policore duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit ka ndërmerr të gjitha veprimet policore konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës dhe manifestimit të disa qytetarëve, si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve pa dallime.
Rreth orës 10:00, para fillimit të seancës disa qytetarë duke përfshirë edhe personalitete të subjekteve politike opozitare kanë protestuar para Kuvendit të RKS-se, ndërsa rreth orës 10:40 disa qytetarë në shenjë manifestimi kanë dalë në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë për të manifestuar.
Njësitet relevante policore me qëllim të ruajtjes se rendit publik dhe shmangies së ndonjë incidenti të mundshëm kanë ndërhyrë dhe me prezencën e tyre fizike kanë arritur që të mbajnë situatën e qetë, nën kontroll dhe manifestuesit janë shpërndarë në mënyrë të qetë pa incidente.
Seanca e Kuvendit të Kosovës ka filluar të mbahet pak para orës 12:00, ndërsa është ndërprerë disa minuta pas orës 14:00, pasi janë hedhur mjete të dyshuara gaz lotsjellës nga deputetë të opozitës.
Referuar rrethanave dhe situatës së krijuar në ambientet e Kuvendit të RKS-së, ku është hedhur mjeti i dyshuar, Policia e Kosovës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjeteve të dyshuara.
Rreth orës 14:40, njësitet relevante policore e kanë shoqëruar për në polici njërin nga deputetet i cili ka deklaruar se ka hedhur në seancë mjetin e dyshuar gaz lotsjellës.
Ndërsa rreth orës 15:20, pas ri-fillimit të seancës dhe njoftimit për përjashtim të disa deputetëve të opozitës, sërish është hedhur gaz lotsjellës dhe përsëri është ndërprerë seanca.
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka marrë vendim për të përjashtuar disa deputetë të opozitës dhe nga zyrtarët e sigurimit në kuvend është kërkuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për largimin e tyre nga salla.
Zyrtarët e sigurimit të kuvendit konform procedurave ligjore fillimisht ju kanë prezantuar vendimin e kuvendit deputeteve të përjashtuar dhe më pas të njëjtit i kanë larguar nga salla e kuvendit, për të krijuar kushtet për vazhdim të seancës.
Gjatë zhvillimit të seancës një deputete ka tentuar të hedh sërish gaz lotsjellës, por zyrtarët e sigurimit të kuvendit kanë reaguar duke parandaluar hedhjen e gazit lotsjellës.
Si vazhdimësi e realizimit të procedurave ligjore, njësitet relevante policore kanë shoqëruar në polici edhe tre (3) deputet tjerë, për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme ligjore.
Gjatë kohës sa mbahej protesta fillimisht kanë qenë afërsisht rreth (2.000-2.500) protestues, ndërsa më vonë një numër i protestuesve janë larguar dhe numri i tyre ka rënë afërsisht në (400 – 500) protestues.
Rreth orës 16:55 në sheshin “Adem Jashari” e më pastaj edhe në rrugën “Agim Ramadani”, disa protestues të dhunshëm të kamufluar me maska kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme duke përfshirë gurë, fishekzjarre dhe koktej molotovi në drejtim të policisë dhe objektit të kuvendit të RKS-se.
Njësitet policore janë detyruar të intervenojnë duke përdorur mjetet e ligjshme për shpërndarjen e turmës dhe vënies së situatës nën kontroll, duke arrestuar (5) protestues të dhunshëm.
Si pasojë e dhunës dhe sulmeve të protestuesve drejt policisë deri me tani kanë pësuar lëndime (21) zyrtar policor.
Po ashtu edhe (1) gazetarë dyshohet se është vet lënduar gjatë realizimit të detyrave të tij dhe të njëjtit i është dhënë ndihma mjekësore.
Referuar situatës së krijuar, dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, për shkaqe sigurie janë kontrolluar dhe larguar nga sheshi tendat e vendosura.
Po ashtu për shkaqe sigurie të qytetarëve dhe automjeteve civile, në disa rrugë është ndërprerë qarkullimi i trafikut përkohësisht, për tu ri-orientuar në rrugë alternative nga zyrtarët e trafikut.
Në cilësi të provave materiale Policia e Kosovës në tri lokacione të ndryshme duke përshirë lokacionin te tendat në shesh gjatë ekzaminimit nga njësitet relevante policore, janë gjetur dhe konfiskuar (6) çanta me (39) shishe koktej molotovi si dhe (38) copë shishe me ngjyrë.
Policia e Kosovës vazhdon me realizimin e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore, duke përfshirë edhe mbarëvajtjen e trafikut, pasi disa qytetarë po manifestojnë në lokacione të ndryshme.
Me respekt,
Zyra për Informim e PK-së
DPP – Prishtinë